Shtrati i lumit është sulmuar nga deponitë, në njërën prej tyre janë me mijëra goma, objektet ndërtohen buzë ujit, e meqë në këtë pjesë nuk ka rrjet të kanalizimit dhe as trajtim adekuat të ujërave të zeza ato ashtu të papërpunuara derdhen në lum. Deri pak kohë më parë zalli është nxjerrë në mënyrë të pakontrolluar, në veçanti nga Tergaja në Selishtë, prandaj rrjedha ka ndryshuar ndjeshëm.
Azra Vukoviq, drejtorja e OJQ "Green Home", thotë se zona e kanionit të Cemit është një nga vlerat e jashtëzakonshme natyrore me një numër të madh të llojeve endemike dhe relikte dhe me biodiversitet tej mase të pasur.
- Në vitin 2017 u shpall monument i natyrës. Mirëpo, edhe pse është e mirë natyrore, ekzistojnë problemet e shumta në këtë zonë, siç janë: eksploatimi i zallit dhe rërës, ujërat e zeza komunale, deponimi i mbeturinave, mosekzistimi i Planit të administrimit që do të definonte masat e mbrojtjes dhe të përmirësimit të kësaj zone. Nga ana tjetër, duke pasur parasysh se bëhet fjalë për rajon ndërkufitar, nuk duhet të neglizhohen as ndikimet ndërkufitare të cilët ekzistojnë, siç është ndërtimi i mini-hidrocentralit në anën shqiptare të lumit. Si iniciues të mbrojtjes së lumit Cem, jemi të mendimit që nevojitet mbrojtja sistematike e kësaj zone me përfshirjen e komunitetit lokal. Po ashtu, zonat e mbrojtura kanë njëfarë qëllimit dhe nuk duhet lejuar që të ekzistojnë vetëm në letër, pa ndonjë mbrojtje thelbësore – tha Vukoviq.
Sa i përket rreziqeve që i kanosen Cemit, dy qytetarë mendojnë që është nxjerrja e pakontrolluar e zallit, 33 thonë që është zhdukja e biodiversitetit, 24 gjykojnë që është zvogëlimi i sasisë së ujit, ndërsa 29 theksojnë ndotjen e lumit. Pikat e zeza ekologjike në kanionin e Cemit i kanë vërejtur 50 qytetarë, ndërsa vetëm dy jo. Si pika të zeza cekën brezin nga Tergaja në Selishtë, Cemin e Trieshit, pjesën pranë një restoranti, Ujëvarat e Niagarës, pjesën nga ura në Dinoshë deri në Lemajë, Cemi në pjesën shqiptare...
Qytetarët thonë se në anën shqiptare Cemi rrjedh nëpër gypa dhe që kështu është shkatërruar biodiversiteti dhe është zvogëluar sasia e ujit në kanion. Kanë vërejtur edhe mbeturinat të cilat i nxjerr lumi, por edhe faktin se është zhdukur një lloj bimor, Pinguicula hirtiflora (në gjuhën malazeze - debeljača), si pasojë e ndërtimit të rrugës. Kanë thënë se në Cem derdhen fekalet nga lokalet që janë buzë lumit, dhe që problem paraqet edhe ndërtimi ilegal, si dhe ndërtimi pa vlerësimin e ndikimit në ekosistem, deponimi i paorganizuar i mbeturinave, mungesa e kanalizimit në vendbanime, por edhe makina e dromcimit, moszgjidhja e administrimit të mbeturinave nga shërbimi lokal, koncesionet ilegale, ndërtimi i objekteve pa kontroll, si dhe hidrocentralet në Shqipëri, eksploatimi i zallit në Shqipëri dhe në Malin e Zi, si dhe humbja e llojeve endemike dhe të habitateve natyrore. Një numër i madh i qytetarëve janë pajtuar se pakujdesi i autoriteteve është problemi më i madh, por edhe kultura e dobët e qytetarëve, nxjerrja e zallit, vendosja e pengesave në lum, derdhja e ujërave të zeza, si dhe mbetjet e materialeve ndërtimore gjatë rikonstruktimit të rrugës.
* Teksti u krijua përmes projektit "Përgjatë Malit të Zi" në kuadër të programit "Media for All", të cilin e financon Qeveria e Britanisë së Madhe, ndërsa e realizon Këshilli Britanik me organizatat partnere BIRN, INTRAC dhe Fondacionin Thomson, i cili përkrah mediat në Ballkanin Perëndimor. Përmbajtja e mbledhur dhe qëndrimet e shprehura janë përgjegjësi vetëm e autorit.