Përpunuesit e drurit nga Plava protestuan gati tërë vitin / -DAN
16/01/2022 u 00:00 h
ДАН порталДАН портал
Preuzmite našu aplikaciju
Pratite nas na
Pridružite nam se na viber community
Pratite nas
i na telegram kanalu
StoryEditor

Trasuan rrugën për tek koncepti i ri dhe më i mirë i administrimit të pyjeve

Çështja e shfrytëzimit të burimeve natyrore në komunën e Plavës, para së gjithash të pyjeve, ishte një nga temat kryesore e cila në vitin që lamë pas ka tërhequr vëmendjen e opinionit të gjerë.

Në protestat e shumta të përpunuesve të drurit, përfaqësuesve të shoqërisë civile dhe të qytetarëve është kërkuar që pyjet shtetërore të shfrytëzohen për zhvillimin e komunitetit lokal. Është thënë se populli i kësaj treve, me të gjitha mjetet që ka në dispozicion, nuk do të lejojë që koncesionistët e privilegjuar të vazhdojnë eksploatimin e masës drusore në mënyrën siç kanë bërë deri më tani. Është theksuar se, gjatë dekadave të fundit, komuna e Plavës ka përjetuar ngecjen e përgjithshme zhvillimore për arsye të keqadministrimit të burimeve natyrore. Përpunuesit e drurit nga Plava theksojnë se beteja e tyre, të paktën pjesërisht, ishte e frytshme dhe se përgjegjësit nga Drejtoria për Pyje më në fund e kanë kuptuar nevojën që përmes sigurimit të lëndës së parë, të krijohen kushtet për përpunimin përfundimtarë të drurit.

Të largohen drunjtë e dëmtuar nga Parqet Nacionale

Përpunuesit e drurit kanë kërkuar që sa më parë të shpallet tenderi për prerjen dhe largimin e druve të dëmtuare dhe të tharë nga pyjet halore dhe të ahut në pjesën e Parkut Nacional "Bjeshkët e Nëmura".

- Në zonën e Parkut Nacional "Bjeshkët e Nëmura", respektivisht në pyjet e atjeshme, gjenden shumë zona me trungje të dëmtuar. Ndër këto trungje ka dhe dru të cilët po thahen nga vjetërsia. Trungjet e tilla, sipas rekomandimit të ekspertëve, duhet të largohen sa më parë nga zona e Parqeve Nacionale, sepse ato përbëjnë rrezik për kalimtarët, dhe njëkohësisht rrezikohet përcjellja e sëmundjes në pyllin e shëndetshëm dhe tejet cilësorë. Mirëpo, përgjegjësit në ndërmarrjen Parqet Nacionale nuk dhanë asnjë përgjigje për këtë çështje, por as nuk ndërmorën aktivitete në pajtim me rekomandimet e ekspertëve kompetent – thanë nga Shoqata e Përpunuesve të Drurit.

- Duhej ngritur zëri dhe shprehur mospajtimi me politikën koncesioniste e cila gjatë dekadave të fundit është zbatuar në Mal të Zi dhe në territorin e komunës tonë. Çfarë politike koncesioniste është ajo kur sipas rregullave populli nuk kishte mundësi të furnizohet me dru për nxehje, ndërsa ne si përpunues të drurit nuk kishim mundësi të furnizohemi me lëndën e parë për punë. E gjitha kjo ndodhi për arsye se tërë koncesionet për pyje, me çmime të mjerueshme, janë dhënë koncesionistëve të privilegjuar. Ne praktikisht me jetët tona nisëm betejën kundër këtij koncepti të shëmtuar të administrimit të pyjeve. Atë çfarë përjetuam gjatë kësaj rruge është vështirë të përshkruhet me fjalë. Në fund, përgjegjësit nga Drejtoria për Pyje e kanë kuptuar që kishim të drejtë dhe ofruan konceptimin sipas të cilit përpunuesit e drurit dhe qytetarët do të furnizohemi me lëndën drusore. E gjitha kjo tregon se beteja jonë s'ishte e kotë – theksoi Esko Barjaktareviq në emër të përpunuesve të drurit nga Plava.

Të mbrohet Çakorri

Përfaqësuesi i shoqatës joqeveritare "Klub Velika", Gojko Knezheviq thotë se e përkrahë tentativën që të mbrohen pyjet dhe se këtë çështje duhet seriozisht ta trajtojnë edhe organet shtetërore. Ai theksoi se mali i Çakorrit meriton mbrojtje të veçantë.

- Projekti kyç i shoqatës tonë është shpallja e Çakorrit park i natyrës. Në këtë zonë pylli është prerë pamëshirë. Nëse vazhdohet si deri tani atëherë ne flasim kotë. Këtu bëhet fjalë për korrupsion të madh dhe ai duhet të ndalohet. Ne dëshirojmë që këtë gjë ta bëjnë organet shtetërore, e nëse ato nuk duan atëherë populli ka të drejtë të plotë të ngritët për të mbrojtur vlerat tona – theksoi Knezheviq.

Ushtruesi i detyrës së drejtorit të Drejtorisë për Pyje, Srgjan Pejoviq pak kohë më parë i tha gazetarëve se po ofrohet koncepti i ri i administrimit të pyjeve ku shteti dhe përpunuesit e vegjël të drurit do të kenë dobi më të madhe.

- Individët gjatë 20 vjetëve kanë fituar koncesionet me çmime të ulëta, nëntë euro për dru gjetherënës dhe 17 për dru halor, pastaj ia shitën dikujt tjetër, ose e kanë eksportuar dhe kështu kishin përfitime të stërmëdha. Prandaj tek ne praktikisht nuk ekziston përpunimi i drurit, sepse individët fituan falas mundësinë të shfrytëzojnë pyjet, ndërsa qëllimi ishte që të zhvillohet përpunimi përfundimtarë, të punësohen njerëzit dhe të jetë kjo një nxitje për zhvillimin e Veriut të Malit të Zi. Në këtë mënyrë edhe Drejtoria për Pyje i ka përfitimet më të vogla sesa shpenzimet. Për herë të parë po bëjmë thirrje publike e cila nuk është diskriminuese por e drejtë dhe në pajtim me interesin publik të shtetit – tha Pejoviq.

image

Drurët e prerë në pyjet e komunës së Plavës

-DAN

Përpunuesit e drurit nga Plava theksojnë se konstatimin e Pejoviqit e vërteton e dhëna që tregon se në zonën e Plavës punojnë vetëm rreth dhjetë punëtorë në fushën e përpunimit të drurit, edhe pse dikur ishin mbi 500.

- Ne s'kishim më kohë për pritje, sepse çdo ditë vështruam se si koncesionistët e privilegjuar, në sytë e autoriteteve shtetërore, po shkatërrojnë pyjet tona. Bëhet fjalë për një kasaphane të vërtetë, derisa të shumtë janë ato që ishin të detyruar të mbyllin repartet e tyre për shkak të mungesës së lëndës së parë. Qartë ia kemi bërë me dije se, me mbrojtjen rigoroze të burimeve natyrore, duhet të mbrohen interesat e popullsisë lokale dhe t'i jepet mundësia përpunuesve të drurit që, duke u marrë me përpunimin final të drurit, të vijnë lehtë deri tek lënda e parë, e që s'shte rasti deri më tani. Besojmë se po vjen koha kur do të kuptohet rëndësia e përpunimit të drurit dhe cilat janë nevojat e popullsisë lokale, e jo vetëm e atyre që janë mësuar të pasurohen brenda natës – thotë Nexhad Cecunjanin, një nga përpunuesit e drurit nga Plava.

Dëmi për shkak të mungesës së përpunimit përfundimtarë të drurit është i madh

Përpunuesi i drurit Edin Sharkinoviq pohon se shteti dhe komuniteti lokal po humbin të ardhura të mëdha për arsye se nuk bëhet përpunimi përfundimtarë i drurit.

- Koncesionisti e fitojë drurin halor me çmim 17 euro. Sipas kësaj, 5 000 metër kub i merr për 85 000 euro, ndërsa TVSH-ja për këtë shumë është 17 500 euro. Nëse këtë sasi të lëndës së parë do ta premë, thamë dhe përpunojmë në trashësi standarde do të fitojmë vlerën prej 1 550 000 euro, ndërsa TVSH-ja do të ishte 325 000 euro. Përpunimet më komplekse, siç është ndërtimi i dyerve, do të sillnin përfitime sa trefishi i kësaj vlere. Ky shembull tregon mjaftueshëm se sa është humbja kur nuk ka përpunim përfundimtarë dhe kur pylli eksportohet si dru i rrumbullakosur – tha Sharkinoviq.

Kërkesat për shfrytëzimin më racional të burimeve natyrore i ka përkrahur edhe kryetari i Komunës së Plavës, Nihad Canoviq duke theksuar se, duke respektuar ligjin, duhet të gjenden zgjidhjet më të mira për administrimin e pyjeve.

- Unë si kryetari i Komunës gjatë tërë kohës i bëra apel Qeverisë, ministrisë kompetente, si dhe Drejtorisë për Pyje që të kenë mirëkuptim për nevojat e popullsisë lokale, sepse nuk është normale që tërë lëndën drusore ta fitojnë koncesionistët nga jashtë, derisa popullatës lokale nuk i mbeti as për nevojat themelore – theksoi Canoviq.

Nga shoqëria civile e konsiderojnë si rrënues faktin që vetëm një pjesë e vogël e mjeteve nga kompensimet koncesioniste janë dedikuar për zhvillimin e komunitetit lokal.

- Sikur mjetet e parapara nga kompensimet koncesioniste të ishin dedikuar për zhvillimin e Plavës, nuk do të kishim një ngecje të tillë zhvillimore. Për shkak të raportit të tillë Plava është bërë një vend ku nuk mund të organizohet një e jetë e denjë dhe nuk është befasi që rinia largohet në disa treva më të lumtura. Nga ana tjetër, çdo ditë kemi parë kamionët e rëndë të ngarkuara me dru, të cilët prishin balancën natyrore dhe shkatërrojnë mundin tonë. Është rrënues fakti që institucionet e vendit kanë mbyllur sytë ndaj dukurive të tilla – tha në emrin e shoqërisë civile Reshit Markoviq.

Pratite nas na
Pridružite nam se na viber community
Pratite nas
i na telegram kanalu
18. april 2024 22:33