Urgjentisht të formohen qendrat grumbulluese për pemë dhe perime / -DAN
25/02/2022 u 12:34 h
ДАН порталДАН портал
Preuzmite našu aplikaciju
Pratite nas na
Pridružite nam se na viber community
Pratite nas
i na telegram kanalu
Pratite nas
i na WhatsUp kanalu
StoryEditor

Urgjentisht të formohen qendrat grumbulluese për pemë dhe perime

Hapja e qendrave grumbulluese do të kontribuonte më së shumti për zhvillimin e bujqësisë në Malësi, mendojnë 71 për qind e lexuesve në anketën e "Danit". Po ashtu, tregu i gjelbër për blerje me shumicë do të rriste fitimin e bujqve – vlerësojnë 38 për qind e lexuesve

Në Malësi urgjentisht duhet të formohet qendra grumbulluese për pemë dhe perime ose të paktën të hapet tregu i gjelbër për shitje me shumicë, sepse kështu do të sigurohej plasmani i produkteve, përfundohet në anketën e realizuar nga portali "Dan". Këndvështrimet dhe propozimet e veta për problemin me të cilin ballafaqohen bujqit nga kjo zonë me ne i kanë ndarë 45 pjesëmarrës të sondazhit ECR – 26 femra dhe 19 meshkuj, ndër të cilët një e treta ishin nga komuna e Tuzit.

Bujqësia në Malësi konsiderohet si sektor kyç për ekonominë e vendit. Në këtë vend, të njohur për nga potenciali bujqësorë, masat për përkrahjen e prodhuesve janë të mirëseardhura. Subvencionet jepen si nga niveli lokal ashtu edhe nga niveli qendror. Mirëpo, vetëm 20.9 % e lexuesve, të cilët morën pjesë në anketë, mendojnë se premitë bujqësore të cilat i fitojnë prodhuesit janë stimuj adekuat.

Hapja e qendrave grumbulluese do të kontribuonte më së shumtit për zhvillimin e bujqësisë në Malësi, mendojnë 71 për qind e lexuesve në anketën e "Danit". Po ashtu, tregu i gjelbër për blerje me shumicë të pemëve dhe perimeve do të rriste fitimin e bujqve – vlerësojnë 38 për qind e lexuesve.

Milliq: Subvencionet komunale nuk mbërrijnë deri tek unë

Bujku Millosav Milliq nga Nënhelmi thotë se blerja e tepricës së mallit është e vetmja zgjidhje për të ndihmuar prodhuesit. Ai thekson se malli vendas nuk është më i mbrojtur se ai nga importi.

- Çmimet prodhuese tani janë të larta dhe nuk e di si do të përshtatemi. Tani kemi frikë si do të jetë sezoni. Nuk dihet se çfarë mbillet dhe me çfarë sasie. Disa kompani kanë ndarë farat e patateve dhe dikush e ka blerjen e siguruar, mirëpo shumica jo. Sa i përket Komunës së Tuzit, akoma nuk e kam fituar asnjë cent ndihmë nga ana e tyre. Vetëm Ministria më subvencionoj për fara dhe për sistemin e ujitjes. Vitin e kaluar e dorëzova kërkesën për refundimin e mjeteve, po ashtu për sistemin e prodhimit. Bëhej fjalë për 1 100 euro dhe këto mjete nuk më janë dhënë. As se mendove që nuk do t'i merrja. Mendoj se problemi është te teprica e mallit, në periudhën e caktuar kur në treg paraqitet malli nga importi i cili i zë frymën mallit vendas – thekson Milliq.

Kriza ekonomike e ndjekur nga shtrenjtimi i konsiderueshëm i ushqimit për bagëti dhe plehut mineral në bursën botërore, është goditje shtesë për standardin e prodhuesve bujqësorë në vend. Bujqit thonë se dikur përfitimet nga një sezon ishin të tilla saqë mund të blinin cilëndo makinë bujqësore, kurse sot është mision i pamundur. Vetëm prodhuesit më të mëdhenj mund t'i blejnë, dhe atë me kredi, me të gjitha subvencionet dhe ndihmat që fitojnë.

Për shkak të rrethanave të tilla, prodhuesit vendas duhet të edukohen dhe ndihmohen gjatë aplikimit për masat e përkrahjes.

- Shteti në përgjithësi duhet të promovojë të gjithë prodhuesit bujqësor nga i tërë shteti, patjetër edhe nga Malësia. Produktet vendase duhet të jenë të pranishëm në të gjitha rrjetet e dyqaneve ushqimore në Malin e Zi. Të kufizohet importi nga shtetet përreth, të lejohet vetëm kur duhet të përmbushen nevojat e tregut, dhe të punohet për promovimin e cilësisë së produkteve vendase. Të parandalohet trego jokonkurrues, shitja e produkteve vendase duhet të jetë prioritet, ndërsa bujqit duhet të bashkohen, dhe bashkë ta bëjnë marketingun, respektivisht reklamimin e produkteve të veta – propozojnë lexuesit.

Një nga pjesëmarrëset e anketës propozon që bujqit të marrin pjesë në panaire në formë të organizuar, kurse autoritetet duhet ta mendojnë fushatën promovuese, për shembull "Rrugën e verës" në Malësi. Po ashtu, Komuna duhet të organizojë ditën e Dyerve të Hapura për bujqit dhe t'i dëgjojë problemet me të cilat ballafaqohen bujqit tanë, ndërsa fermerët do të dinin se atë ditë mund të vijnë drejtpërdrejtë tek zyrtarët pa paralajmërime paraprake dhe pritje në radhë, gjë për të cilën ato nuk kanë kohë.

Dizdareviq: Nevojitet ndihma profesionale për aplikim

Mevlludin Dizdareviq mendon se prodhuesit e shumtë bujqësor nuk shfrytëzojnë mundësitë që ju ofrohen përmes programeve IPARD dhe MIDAS, për shkak të dokumentacionit voluminoz. Edhe pse organizohen seminare dhe trajnime me bujqit, atyre ju nevojitet ndihma profesionale gjatë aplikimit. Nga ana tjetër, nevojiten më tepër seminare praktike. Përveç kësaj, duhet të sigurohet blerja e sigurt e prodhimeve vendase me interes të përbashkët, e ai është çmimi. Pra, nevojitet analiza e hollësishme e prodhimit dhe konsumit në nivelin e Malit të Zi, në mënyrë që të kufizohet importi – thotë Dizdareviq për "Dan".

Po ashtu, qytetarët mendojnë se mungesa e fabrikës ose repartit për përpunimin e mishit, qumështit, pemëve dhe perimeve është një nga problemet kyçe me të cilin ballafaqohen bujqit nga Malësia.

Bujqit thonë se për momentin blerësit më të mëdhenj janë rrjetet e dyqaneve ushqimore të cilët imponojnë çmimet dhe përfitojnë më së shumti.

Në terren mësojmë se është paralajmëruar hapja e fabrikës së patatinave (çipsit), prandaj prodhuesit e patateve shpresojnë për plasmanin e garantuar. Mirëpo, çfarë do të bëhet me prodhuesit e bostanit, lakrës dhe domates, të cilët janë "letërnjoftimi i Malësisë".

Thërrasim autoritetet që të shqyrtojnë propozimet e lexuesve tanë për hapjen e qendrës së përbashkët grumbulluese për Zetë dhe Malësi, duke ndarë kështu shpenzimet, kurse të gjithë prodhuesit do të ishin të kënaqur.

Falënderojmë për përkrahjen të gjithë qytetarët dhe qytetaret të cilët janë angazhuar për zgjidhjen e këtij problemi të bujqve në Malësi duke plotësuar pyetësorin në portalin "Dan".

* Teksti u krijua përmes projektit "Crnom Gorom - Përgjatë Malit të Zi" në kuadër të programit "Media for All", të cilin e financon Qeveria Mbretërisë së Bashkuar, ndërsa e realizon Këshilli Britanik me organizatat partnere BIRN, INTRAC dhe Fondacionin Thomson, i cili përkrah mediat në Ballkanin Perëndimor. Përmbajtja e mbledhur dhe qëndrimet e shprehura janë përgjegjësi vetëm e autorit.

Pratite nas na
Pridružite nam se na viber community
Pratite nas
i na telegram kanalu
Pratite nas
i na WhatsUp kanalu
02. novembar 2024 01:53