Presin investime nga diaspora / -ДАН
20/08/2021 u 00:00 h
ДАН порталДАН портал
Preuzmite našu aplikaciju
Pratite nas na
Pridružite nam se na viber community
Pratite nas
i na telegram kanalu
StoryEditor

Diaspora e pakënaqur me shpenzimin e donacioneve

Muajt e verës janë periudha kur në Malësi vjen diaspora. Atdheut i kthehen me kënaqësi, ndërsa kjo është mundësi e shkëlqyer edhe për të arritur marrëveshje për investimet dhe projektet e ndryshme me mërgimtarët të cilët dëshirojnë të investojnë në vendlindje

Këshilltarët e Kuvendit të Komunës së Tuzit konsiderojnë se diaspora është një nga partnerët kyç për zhvillimin e ardhshëm.

-Një nga projektet mund të jetë qendra e bujqësisë dhe turizmit e cila, sipas meje, ka potencial të madh për punë dhe zhvillim. Duhet kujtuar gjithmonë merita e diasporës për zhvillimin e kësaj treve gjatë dekadave të kaluara. Sikur mos të ishin ato, vështirë mund të paramendohet jeta normale në Malësi gjatë dekadave të kaluara. Kemi paralajmërimin për hapjen e pazarit të ri në Tuz nga një sipërmarrës i njohur nga SHBA-ja, si dhe projekte tjera më të vogla të cilët i presim në periudhën e ardhshme. Përqendrimi i diasporës është kryesisht i kthyer kah turizmi, në veçanti valorizimi i potencialeve të kanionëve të Cemit, Liqenit të Shkodrës dhe malit Koritë – tha Shtjefen Camaj, këshilltari i Demokratëve.

Axhoviq propozon që fondet të cilat ndahen për investime

Samir Axhoviq (SD) thotë se kohën e fundit s'kishte asnjëfarë kontakti me përfaqësuesit e diasporës.

- Derisa isha në Sekretariatin për Kulturë dhe Sport, kisha disa kontakte joformale. Bashkëpunimi me diasporën është institucionalizuar, meqë është hapur zyra për bashkëpunim me diasporën. Konsideroj se ky është një hap i mirë i cili çon drejtë bashkëpunimit institucional dhe rritjes së transparencës sa i përket parave që vijnë në Komunën tonë nga diaspora. Kur flasim për raportin e tyre me Komunën, mendoj se pritjet e tyre janë hapja e vendeve të reja të punës, në mënyrë që të rinjtë të mos emigrojnë – thotë Axhoviq.

Axhoviq propozon që fondet të cilat ndahen për investime në vendlindje të përqendrohen në hapjen e fabrikave të vogla për përpunimin e produkteve bujqësore, duke u bazuar në atë çfarë prodhohet më së shumti në Malësi.

- Është e pakonceptueshme që qumështi nga krahina jonë të blihet nga fabrika prej Danillovgradit, e ne s'jemi në gjendje ta bëjmë këtë gjë – thotë Axhoviq.

Mirza Pepiq (PDS) thotë se diaspora gjithmonë ka kontribuar për zhvillimin e shoqërisë.

- Tani kur institucionet janë formuar, Komuna e Tuzit duhet të punojë më shumë në fushën e prezantimit të potencialeve turistike. Kontaktet me diasporën tonë po mbahen në vazhdimësi, posaçërisht gjatë pushimit të tyre në vendlindje. Përveç hapjes së veprimtarive shërbyese, duhet të punohet më shumë për valorizimin e burimeve tona natyrore. Dëshiroj të besoj që në periudhën e ardhshme do të krijohen kushtet konkrete që diaspora të investojë në zhvillimin ekonomik të Komunës. Është viti i tretë prej kur jemi bërë komunë e pavarur, e investimet e huaja nuk vërehen edhe pse janë paralajmëruar shumë gjatë periudhës së kaluar. Roli i komuniteteve lokale ka rëndësi të veçantë, si përkrahje dhe si shërbim ndaj investimeve të huaja të drejtpërdrejta, ku duhet të ofrojmë më shumë hapësirë për investime në vendin tonë. Vërejta brengosje të thellë të njerëzve tonë nga diaspora me rastin e ndryshimeve dhe plotësimeve të Ligjit për Vendqëndrim, sepse në këtë mënyrë formalisht i ndërpriten lidhjet me shtetin amë. Po ashtu, gjatë bisedës me njerëzit tanë nga diaspora vërehet pakënaqësia me nivelin e transparencës sa i përket mënyrës së shpenzimit të mjeteve të cilat diaspora jonë ia dhuroi Komunës gjatë pandemisë së korona virusit – thekson Pepiq.

Mevludin Dizdareviq (PB) konsideron se deri tani diaspora dha kontribut të jashtëzakonshëm në formën e donacioneve të ndryshme, të cilat janë jashtëzakonisht të rëndësishëm për Komunën më të re.

- Shpresoj që në afatin e afërt diaspora do të nis iniciativën për ndërtimin e fabrikës dhe në atë mënyrë të ndihmojë vendlindjen, sepse kjo është forma më e mirë e donacionit. Kryetari dhe nënkryetarët janë në kontakt të vazhdueshëm me diasporën – konsideron Dizdareviq.

Pratite nas na
Pridružite nam se na viber community
Pratite nas
i na telegram kanalu
26. april 2024 06:41