Trungjet e dëmtuar gjatë eksploatimit të pyjeve / FADIL MARKOVIQ
27/12/2021 u 15:31 h
Vera SamolovVera Samolov
Preuzmite našu aplikaciju
Pratite nas na
Pridružite nam se na viber community
Pratite nas
i na telegram kanalu
StoryEditor

Monopolistëve tu merren sharrat, të lejohet vetëm prerja e druve për ngrohje

Shumica e pjesëmarrësve në anketë "Pyjet i presin, e problemet lulëzojnë" – të cilën e realizoi portali "Dan", apo 97.5 për qind, kanë vlerësuar se për të ruajtur pyjet duhet të ndalohet eksporti i drurit nga zona e Plavës dhe Gucisë, sepse koncesionarët e kanë plasuar masën drusore kryesisht në formë të rrumbullakosur larg Plavës dhe Gucisë, ndërsa sasi të konsiderueshme të trungjeve kanë përfunduar ilegalisht në Kosovë dhe Shqipëri, ku është në fuqi moratoriumi për prerjen e pyjeve

Të nderuar lexues, ju falënderojmë për pjesëmarrjen aktive dhe fotografitë e dërguara në anketën "Pyjet i presin, e problemet lulëzojnë" të cilën e realizoi portali "Dan". Në anketë morën pjesë 59 qytetarë, 99 për qind e të cilëve thonë se në afërsi të vendbanimeve ku banojnë, koncesionarët kanë dëmtuar pyjet dhe për këtë arsye duhet të rishqyrtohen të gjitha kontratat e deritashme dhe të dalin para përgjegjësisë të gjithë personat.

- Vetëm në një zonë në rajonin e Çakorrit inspektorët kanë konstatuar që koncesionari gjatë eksploatimit të pyllit ka dëmtuar rreth 400 trungje të cilët nuk ishin të shënuar për prerje. Kjo është vetëm një nga provat që manjatët e afërt me qendrat e fuqisë tërë këto vite kanë shkatërruar pamëshirshëm pyjet tona dhe askush nuk mbajti përgjegjësi për këtë gjë. Është koha e fundit që të ndalohen dhe të përballen me drejtësinë të gjithë që në mënyrë të paskrupullt, në kundërshtim me dispozitat e përcaktuara, kanë grabitur burimet tona natyrore – thotë Fadil Markoviq i cili mori pjesë në anketën tonë.

Edhe qytetari Esko Barjaktaroviq mendon se kishte shumë keqpërdorime me qëllim që të përvetësohet fitimi sa më i madh nga prerja e pyjeve.

- Për diçka të tillë ekzistojnë prova të shumta. Kjo do të thotë që radhën e ka prokuroria të vërtetojë të gjitha parregullsitë dhe të procedojë fajtorët për veprimet e paligjshme, për të ndaluar më në fund mafinë e pyjeve – thotë bashkëbiseduesi ynë.

Të rikujtomë, në gjysmën e dytë të shekullit të kaluar ndërmarrja shtetërore Kombinati Pyjor – Industrial "Bor" (ŠIK "Bor") administroi pyjet në rajonin e Plavës. Në këtë qytet ishin mbi 500 të punësuar në fushën e përpunimit të drurit. Sipas të dhënave zyrtare, në këtë fushë, nga krahina e Plavës dhe Gucisë momentalisht janë të angazhuar vetëm tetë punëtorë. Kjo tregon qartë se në Plavë dhe Guci procesi i përpunimit gjysmëfinal dhe final të drurit është zvogëluar në minimum, sepse përpunuesve të drurit u është pamundësuar sigurimi i lëndës së parë nga pyjet shtetërore.

- Derisa kishim ndërmarrjet shtetërore të drurit mbizotëronte rendi. Në atë kohë kishin dobi shteti dhe qytetarët. Mirëpo, kur privatët morën situatën në duart e tyre të gjithë përveç tyre ishin në humbje. Prandaj, në mes tjerash, fshatrat në shpatet e malit Kom i ngjajnë shkretëtirave ku gjithnjë e më pak ka njerëz të gjallë – thotë pjesëmarrësi në anketë Radenko Jankoviq.

Ekzistojnë dyshimet e arsyeshme se koncesionarët kanë eksploatuar shumë më tepër masë drusore se normat e lejuara, duke përvetësuar kështu, në mënyrë të paligjshme, përfitime të mëdha. Duke transportuar drutë me kamionët e rëndë, koncesionarët kanë prishur baraspeshën natyrore, kanë shkatërruar ujërat dhe burimet lokale, e më së shpeshti nuk kanë pyllëzuar shkretat që krijuan me prerjen e pyjeve.

Madje 99 për qind e pjesëmarrësve në anketë "Pyjet i presin, e problemet lulëzojnë" do të shkëputnin kontratat me koncesionarët e deritashëm, ndërsa 81 për qind e të anketuarve vlerësuan se në periudhën e ardhshme koncesionet duhet tu jepen vetëm qytetarëve që gravitojnë në fshatrat e përfshira nga koncesionet.

- Tërë këto vite ishim të detyruar të vështrojmë se si individët marrin miliona nga pyjet të cilat ju dha shteti me çmime qesharake. Është për të ardhur keq që prenë tre herë më shumë masë drusore sesa kanë paguar kompensime koncesionare. Kjo do të thotë se administrimi i pyjeve shtetërore duhet të bëhet në mënyrë fare tjetër, nëse e duam më të mirën për shtetin dhe popullin – vlerësoi qytetari Zhelko Gjukiq, gjatë pjesëmarrjes në anketë.

Për një metër kub dru gjetherënës koncesionarët i kanë paguar shtetit gjashtë euro, ndërsa për një metër kub dru halore 17 euro, që është dhjetë herë më pak se çmimi momental i tregut. Në këtë mënyrë janë shkaktuar dëme të mëdha shtetit dhe komunitetit lokal sepse, siç thonë bashkëbiseduesit, për vite me radhë këto çmime nuk janë harmonizuar ashtu siç është paraparë me kontratat koncesionare.

Shteti duhet të sjellë rregulloren sipas së cilës banorëve lokal do tu mundësohet që, me pagesën e taksës së caktuar, të sigurojnë dru për ngrohje – mendojnë 54 pjesëmarrës të anketës.

- Jemi dëshmitarë se disa individ të fuqishëm kanë instaluar makineritë e veta në mes të pyllit dhe kanë bërë çfarë i deshi qejfi, derisa banorët lokal nuk mund të siguronin as drutë për ngrohje, edhe pse pyjet gjenden në afërsi të shtëpive ku banojnë. Këto janë gjëra të tmerrshme, sepse të fuqishmit nuk kanë investuar asnjë cent për ripërtëritjen dhe pyllëzimin e shkretave që lanë pas – thotë Hajran Muriq, pjesëmarrës i anketës.

Është gjynah edhe për shtetin edhe për qytetarët"

Fal anketës "Pyjet i presin, e problemet lulëzojnë" mësojmë se mbi gjysma e të anketuarve kanë dijeni se sasi të konsiderueshme të druve në mënyrë ilegale përfundojnë në Shqipëri dhe në Kosovë.

Kështu një pjesëmarrës i anketës, Nexhad Cecunjanin, vlerësoi "se administrimi i deritashëm i pyjeve shtetërore ishte i dëmshëm si për shtetin ashtu edhe për qytetarët".

- Përfituan vetëm ato që ishin pranë atyre që krijuan monopolistët në këtë fushë. Këto monopolistë vunë drynat në punishtet e vogla të përpunuesve të drurit, që i bëri të pakuptimta tentativat për formimin e sipërmarrjeve të vogla dhe të mesme në fushën e përpunimit të drurit – thotë Cecunjanin.

Koncesionarët e kanë plasuar në treg masën drusore kryesisht në formë të rrumbullakosur, larg Plavës dhe Gucisë, ndërsa sasi të konsiderueshme të trungjeve kanë përfunduar ilegalisht në Kosovë dhe Shqipëri, ku është në fuqi moratoriumi për prerjen e pyjeve. Shumica e të anketuarve, apo 97.5 për qind, kanë vlerësuar se për të ruajtur pyjet duhet të ndalohet eksporti i drurit nga zona e Plavës dhe Gucisë.

Për arsye se pyjet priten, e problemet ende lulëzojnë duhet të dalin para përgjegjësisë të gjithë ato që lejuan eksploatimin e masës drusore në zonat sanitare të pasura me burimet e ujit të pijshëm, thotë pjesëmarrësi në anketë Sveto Baboviq.

- Për shkak të prerjes së pyjeve në këto zona shumë burime kanë tretur, gjë që shkaktoi mjaft probleme për qytetarët. Kjo tregon se ato që ishin kompetent për këtë fushë kanë dhënë koncesione duke shpërfillur opinionet e profesionit – thotë Baboviq.

Gazetarët e "Danit" kanë mbledhur materialin shtesë lidhur me këtë problem të rëndësishëm. Presim që në këto pyetje të japin përgjigje autoritetet nga Drejtoria për Pyje (njësia zonale në Plavë dhe Guci) të cilët në bashkëpunim me Drejtorinë për Punë Inspektuese duhet të gjejnë zgjidhjen më të mirë me të cilën më në fund do të mbrohen pyjet tona nga aktivitetet e paligjshme, si dhe për problemet tjera të shumta, të cilët janë grumbulluar përgjatë viteve.

Duke përkrahur gazetarinë e angazhuar, besojmë se rezultatet e anketës, prapë do ta bëjnë aktuale këtë temë, do të ndihmojnë rritjen e vetëdijes dhe të përgjegjësisë së qytetarëve, si dhe gjetjen e zgjidhjes për këtë problem shumëvjeçar.

* Teksti u krijua përmes projektit "Përgjatë Malit të Zi" në kuadër të programit "Media for All", të cilin e financon Qeveria e Britanisë së Madhe, ndërsa e realizon Këshilli Britanik me organizatat partnere BIRN, INTRAC dhe Fondacionin Thomson, i cili përkrah mediat në Ballkanin Perëndimor. Përmbajtja e mbledhur dhe qëndrimet e shprehura janë përgjegjësi vetëm e autorit.

Pratite nas na
Pridružite nam se na viber community
Pratite nas
i na telegram kanalu
26. april 2024 02:42